Qytetarët në Gjakovë protestuan kundër vizitës së pelegrinëve serbë

Qytetarët në Gjakovë kanë protestuar sot duke kundërshtuar, siç u shprehën ata, një vizitë të pelegrinëve serbë.

Në dyert e kishës ortodokse serbe në Gjakovë, qytetarët protestues vendosën pankarta me mbishkrime të ndryshme, të tilla si “Gjakova nuk harron” dhe “I keni duart me gjak”.

Në një njoftim për media, organizatorët e protestës kanë thënë se ata do të kundërshtojnë ardhjen e pelegrinëve, pasi sipas tyre, në mesin e tyre ka edhe persona që kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Protestuesit, pasi qëndruan para kishës ortodokse u shpërndanë të qetë.

Sipas Policisë, e cila doli për të ruajtur sigurinë dhe se protesta ka qenë e qetë dhe ka kaluar pa incidente.

Sipas protestuesve, një grup i pelegrinëve serbë, pritej që sot të vizitojnë Gjakovën për festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Por, drejtori i Policisë rajonale të Gjakovës, Ahmet Hasi, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga asnjë grup pelegrinësh se sot do të vizitojnë objektet fetare në Gjakovë.