Ekonomitë e Maqedonisë dhe Kosovës thirrje që “sa më shpejtë” të kryhet autostrada

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiçi dhe ai i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, nga dalja e pjesës tashmë të përfunduar të autostradës që lidh Prishtinën dhe Shkupin, bën të ditur se deri në fund të vitit pjesa e kësaj autostrade në anën kosovare do të përfundojë, ndërkohë apeluan që Qeveria e Maqedonisë “sa më shpejtë të kryejë pjesën e vet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërtimi i autostradës që lidh Prishtinën dhe Shkupin në anën e Kosovës ka përfunduar deri në afërsi të fshatit Doganaj dhe kanë mbetur rreth 25 kilometra, ku dhe janë vendosur themelet, për të përfunduar ndërtimi i plotë i saj deri në kufirin me Maqedoninë. Ndërsa në anën maqedonase ende nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e kësaj autostrade që do të lidh kryeqytetet e dy vendeve fqinje.

Në konferencën e përbashkët për media, Rukiçi tha se Maqedonia është ndër fqinjët me të cilët vendi i tij nuk ka pothuajse asnjë problem të natyrës ekonomike, por se duhet shumë më shumë të punohet në fuqizimin e infrastrukturës dhe investimeve të dyanshme.

Ai theksoi se arsyeja pse takimi është zhvilluar në pjesën e përfunduar të autostradës është për të dërguar mesazh deri tek qeveritë përkatëse, por edhe tek vendet e rajonit, se duhet sa më shumë të investohet në infrastrukturë.