MKRS-ja ndau çmimet për Kinematografi

Ministri i  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të hënën në një ceremoni  solemne ka bërë ndarjen e çmimit vjetor për Kinematografi dhe çmimit kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”.

Çmimi vjetor për Kinematografi për vitin 2017 iu nda regjisores Blerta Zeqiri ndërsa çmimi kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” në fushën e kinematografisë iu nda regjisorit Besim Sahatçiut-post mortum.

Ministri Gashi ka thënë se përkrahja e MKRS-së për artistët do të vazhdojë. “Besoj se kemi pas një juri profesionale për t’u ndarë çmimet dhe kemi ardhur deri te ky moment në këtë ceremoni për të ndarë këto dy çmime”, është shprehur Gashi.

Ai ka falënderuar për punën dhe kontributin e të ndjerit regjisorit Sahatçiut dhe regjisores Blerta Zeqirit.

“Ne jemi të përkushtuar që të motivojmë punën e artistëve dhe në këtë kontekst do të vazhdojmë të japim shpërblime e çmime. Jam tejet i lumtur që vendimmarrja e jurisë ka qenë e duhur dhe profesionale”, ka thënë ministri Gashi.

Po ashtu, ministri Gashi ka bërë me dije se kanë rritur buxhetin për 100 për qind.

Sipas vendimit për ndarjen e çmimit vjetor për Kinematografi, regjisores Blerta Zeqiri i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 2 500 euro. Ndërsa, sipas vendimit për ndarjen e çmimit kombëtar për Vepër Jetësore për “Bekim Fehmiu”, regjisorit Besim Sahatçiu-post mortum i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 5 000 euro.

Çmimet u shoqëruan edhe me nga një plaketë dhe nga një certifikatë të nënshkruara nga ministri.

Juria profesionale në përbërje të Ardiana Pajaziti, Isa Qosja, Fadil Hysaj, Fatos Berisha, dhe Kimete Berisha, ka dhënë arsyetimin në lidhje me ndarjen e këtyre çmimeve.

Sipas jurisë, regjisorja Blerta Zeqiri, me filmin “Martesa” ka treguar sukses me pjesëmarrje në mbi njëzet festivale ndërkombëtare, ku është shpërblyer me çmime dhe mirënjohje të shumta, në mesin e të cilëve Çmimin Special të Jurisë “FIPRESCI” (Juria e Federatës Ndërkombëtare të Kritikës), në Festivalin e Kategorisë A “Black Nights Film Festival”, Talin/Estoni.

Pas marrjes së çmimit, regjisorja Blerta Zeiqiri ka theksuar se ky çmim është një vlerësim i punës.

Po ashtu sipas jurisë, veprimtaria kinematografike e regjisorit Besim Sahatçiut konsiderohet themeltare e regjisores kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në nivel rajonal. Nga veprimtaria e tij vlen të përmendet filmi “117” dhe seriali filmik televiziv dhe filmi “Era dhe Lisi”, që shënuan fillimin dhe konsolidimin e kinematografisë së Kosovës në vitet e ’70. Vitet ’70-ta dhe fillimi i viteve ’80-ta në artin e kinematografisë së Kosovës mund të konsiderohet periudha e regjisorit Besim Sahatçiu, i cili u bë frymëzim për brezin e ri të kineastëve të Kosovës.

Për regjisorin Sahatçiu, çmimin e mori bashkëshortja e tij Besa Sahatçiu.

Me këtë rast ajo ka falënderuar ministrin për çmimin e dhënë. Ndër të tjera ka pohuar se Besimi dhe Bekimi kanë qenë miq, dhe sipas saj kontributi i tij ka qenë frymëzim