Haradinaj: Ish-kryeministri Bajram Rexhepi ishte personifikim i humanizmit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ish-kryeministri Bajram Rexhepi është personifikim i humanizmit.

Në akademinë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, kreu i ekzekutivit  ka thënë se Rexhepi ka qenë një njëri me qëllime humane.

Sipas tij, Rexhepi nuk ka qenë njeri që ka vrapuar pas meritokracisë së caktuar.

Kryeministri Haradinaj ka evokuar kujtime për ish-kryeministrin Barjam Rexhepi, duke thënë se e ka njohur pak më vonë dhe jo gjatë kohës së UÇK-së, por ajo që ka kuptuar është se ai ka qenë me një sjellje të jashtëzakonshme, një komunikues i veçantë dhe një prej atyre që u ka dhënë mundësi njerëzve.

“E mbaj mend për një njeri të arsyeshëm, që i ka dhënë arsye mendimeve të të tjerëve, pikëpamjeve; nuk ka qenë i ngurtë dhe nuk ka bllokuar pikëpamje e mendime, por ka qenë i hapur për t’i dëgjuar ato”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Bajrami ka qenë një njeri shumë bujar.