Del në shitje ‘tanku’ për përdorim privat, i lejuar edhe për rrugë

Ka dalë në shitje makina SUV që është e lejuar edhe për rrugë, e cila i reziston plumbave, si dhe mund të lëshojë dritë aq të fuqishme sa të verbojë përkohësisht gjithkënd që është përpara.

I pajisur me sistemin që t’i mbrojë ata që janë brenda nga ndonjë pritë – përfshirë edhe dorezat elektrike të dyerve – Rezvani Tank Military Edition që është i lejuar edhe për rrugë, mund të blihet për 250 mijë euro

Makina e jashtëzakonshme, që ka një ekran që funksionon përmes energjisë termale, kompletohet për 14 deri në 24 javë, andaj për të rezervuar një të tillë, duhet paguar dymijë euro. Në stok nuk ka asnjë, andaj për secilën duhet bërë rezervim paraprak.

Prodhuesit premtojnë se e ka nivelin e shtatë të mbrojtjes balistike, duke bërë që t’i përballojë edhe armëve me kalibër të lartë.

Altoparlantët dhe mikrofonat e vendosur përjashta, i japin mundësi shoferit të komunikojë me të pranishmit nga brenda, pa pasur nevojë të hapë derën apo dritaren e makinës, që ka motor prej 6.4-litrave që prodhon 500 kuajfuqi.

Tank Military Edition, është krijuar nga kompania Razvani, me bazë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara.

Ky ‘tank’ lëvizë në rrota të veçanta, që janë krijuar nga një masë që nuk shpohet, ndërsa nuk janë të fryra me ajër.

Mund të lëshojë një dritë të fuqishme, që ia bën të pamundur të gjithëve që janë përpara të lëvizin, duke i verbuar përkohësisht.

Nga frika se mund të sulmohet me ndonjë gaz helmues apo trullosës, ky Razvani ka një sistem special izolimi dhe brenda nuk hyn asgjë, teksa ndodhen edhe disa maska kundër gazit, që të shfrytëzohen kur dilet prej veture.