Kadri Veseli i jep përgjigje Hashim Thaçit, për shkëmbimin e territoreve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, më në fund është deklaruar në lidhje me debatet e ditëve të fundit rreth mundësisë që në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe ndryshimi i kufijve.

Veseli nëpërmjet një shkrimi ka folur rreth pozicionit të tij dhe të partisë që udhëheqë në raport me idetë për ndarjen e Kosovës, apo edhe ndryshimin e kufirit, që kohët e fundit është paralajmëruar si korrigjim i kufijve.

“Meqë jetojmë në një shtet demokratik, duhet ta pranojmë si të mirëqenë faktin se mendimet e njerëzve janë të lira. Gjithmonë do të jenë të tilla në shoqërinë tonë. Por vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë te qarta”, ka shkruar Veseli, duke theksuar se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm”.

Veseli ka folur edhe rreth debatit dhe konsensusit të munguar mes partive politike të vendit, si dhe propozimeve që këto ditë vijnë nga shumë anë, e që krijojnë një “klimë të panevojshme tensioni, frike e pasigurie tek qytetarët”.

Hashim Thaçi është duke mbajtur pothuajse për çdo ditë konferenca për shtyp për të shtyrë idenë e tij përpara për korrigjim kufijsh me Serbinë.Thaçi ka kërkuar publikisht nga të gjitha partitë të bëhen pjesë e projektit.