Revolucioni Francez, histori e shkurtër …

Revolucioni Francez (1789 – 1799) ishte një periudhë e përgjakshme që përfshiu të gjithë Francën për arsye kryesisht sociale dhe politike.
Kjo shënoi fundin e monarkëve në Francë dhe ardhjen e një rendi të ri, që tronditi të gjithë Evropën.

Kur Luigji XVI thirri parlamentin, ai shpresonte të fitonte sërish mbështetjen e masave të popullsisë Franceze. Reformat ekonomike sipas tij do të shuanin revoltën dhe do të risillnin stabilitetin në vend. Për tu theksuar është se parlamenti nuk ishte mbledhur që më 1614, dhe askush nuk mund ta parashikonte se çfarë do të trajtonin deputetët e tre klasave kur ata do të takoheshin në Versajë.

Ndërkohë që Asambleja Kombëtare po punonte për kushtetutën e re, qytetarët e Parisit dhe fshatarësia në rrethinat e kryeqytetit filluan revoltat që do ti jepnin revolucionit një pamje krejt tjetër, një pamje akoma më radikale.

Qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë kishin menduar se reformat do të ishin të shpejta. Ata kishin shpresuar që të liroheshin shpejtë nga taksat e rënda dhe nga varfëria e tejskajshme, por mbledhjet e Asamblesë Kombëtare kërkonin akoma më shumë kohë ndërkohë që banorëve të Parisit iu sos durimi.

Fundi i revolucionit me dekapitimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës (Marie Antoinette Josèphe Jeanne de Habsbourg-Lorraine), do të sillte në pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin, i cili legjitimoi Regjimin e Terrorit.

Deficiti i madh i shtetit dhe pakënaqësia popullore e detyruan Luigjin XVI që në maj 1789 të mblidhte Përfaqësinë e Përgjithshme,e cila nuk ishte thirrur gjatë 2 shekujve. Përfaqësuesit (deputetët) e shtresës së tretë, pa vullnetin e mbretit e shpallën veten Asamble Kushtetuese dhe deklaruan se nuk do të shpërndaheshin pa i dhënë vendit kushtetutën. Në mbrojtje të Asamblesë, më 14 korrik 1789 populli i armatosur i Parisit sulmoi dhe pushtoi kështjellen burg, Bastijën, qe ishte simbol i absolutizmit. U liruan të burgosurit dhe u ngrit flamuri trengjyrësh (i bardhe, i kuq, blu) i revolucionit. Kjo datë, 14 korriku, shënoi fitoren mbi regjimin e vjetër dhe vendosjen e regjimit të ri. Sot kjo ditë është festa kombëtare e Francës. Në provinca u pushtuan kështjellat, u dogjën dokumentet e detyrimeve dhe kudo u vendosën organe të reja të zgjedhura nga populli. Revolucioni fitoi. Për të mbrojtur Asamblenë u krijua një forcë e re ushtarake e përbërë nga vullnetarë, që u quajt Garda Kombëtare. Kjo forcë u bë ushtria e revolucionit.