Media sociale dhe efekti i saj te fëmijët

Me aksesin në internet në rritje, popullsia e re online në mbarë botën ka përjetuar një rritje masive vitet e fundit. Mund të gjesh thuajse çdo grupmoshë në internet që është aktive, e rrjetëzuar dhe që merr pjesë çdo ditë. Adoleshentët, madje edhe para-adoleshentët janë aty duke ecur fshehtas dhe duke lundruar internetin pa pëlqimin e prindërve të tyre thuajse çdo orë.
Sipas Pew Research Center, lista e aksesit në internet sipas grupmoshave të ndryshme ka në krye grupmoshën 12 deri 17 vjeç. Dhe, në fakt, pjesën më të madhe të kohës që fëmijët qëndrojnë online ata ua kushtojnë lojërave online, rrjetëzimit social dhe disa ilustrimeve të tjera që tërheqin vëmendje. Kjo është një prirje e përgjithshme te fëmijët për t’u tërhequr drejt ilustrimeve shumëdimensionale. Ata thjesht jetojnë momentin.
Pasoja: Duke ardhur në pikën e medias sociale nga aksesi në internet, brezi i ri, përfshi adoleshentët, ecën më shpejt. Në vend të ndërtimit të një marrëdhënieje reale, ata priren më shumë drejt marrëdhënieve online. Me motivin për t’i dhënë formë, për të treguar një personalitet që e ndërtojnë nga mjedisi, prindërit, mësuesit dhe moshatarët, fëmijët e përdorin median e rrjeteve sociale në nivel jashtëzakonisht të gjerë.
Procesi: Ilustrimet shumëdimensionale grafike, moda jetëshkurtër, rrymat teknologjike në përgjithësi i tërheqin fëmijët dhe pjesën më të madhe të kohës përpiqen t’iu përshtaten personalitetit të tyre në përputhje me këto moda dhe rryma. Ata priren të krijojnë një personalitet të adhurueshëm, nën ndikimin e modave dhe rrymave, në mënyrë që ta gjejnë veten në një zonë rehatie më të mirë mes moshatarëve dhe rrjeteve të tjera sociale online. Në të njëjtin proces, shumica e fëmijëve i përdorin faqet e mediave sociale në moshë shumë më të hershme nga ç’është mosha e lejueshme për këto faqe. Si përfundim, kjo ndikon te fëmijët tanë edhe pozitivisht por edhe negativisht.

Efektet: Pozitivet

  • Nivel i rritur i përdorimit të teknologjisë dhe përdorimi i bazës së njohurive online mes fëmijëve është një faktor pozitiv për t’u përmendur. Termi mijëvjeçarist(millennial) përshtatet më së miri në këtë drejtim. Ndërkohë që fëmijëve të viteve ’80 u duhej të bënin shumë përpjekje fizike për të grumbulluar dije të vërteta, mijëvjeçaristi i epokës moderne është i bekuar me internetin dhe edukimin online nga moshatarët dhe rrjetëzimi social.
  • Rrjetëzimi social online funksionon shumë më mirë për të siguruar përfshirjen e fëmijëve sesa sistemet e dukshme. Përfshirjet ndërvepruese janë të mundshme me median sociale.
  • Ndërkohë që bota zvogëlohet me përdorimin e internetit dhe medias sociale, fëmijët tanë janë të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe ato që i rrethojnë. Janë të ndërgjegjshëm për çështjet që lidhen me interesat dhe rëndësinë e tyre. Ekzistojnë disa shembuj shumë të mirë të fëmijëve që rrjetëzohen në median sociale për t’u bashkuar kundër një kauze të madhe.
  • Edhe politika po preket dhe kuptohet nga fëmijët tanë në nivel mjaft të mirë në krahasim me moshën e tyre. Shembulli i Sarës 9-vjeçare që përdori YouTube për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama përpara studentëve në shtator 2009 është një shembull i shkëlqyer për t’u cituar këtu. Media sociale është platforma që shërben si katalizatori i kërkuar për të nxjerrë në pah talentet e fshehura dhe dijet e fëmijëve.
  • Grupet e fëmijëve në mbarë botën janë shumë të ndërgjegjshëm për çështje të tilla si seksi, shtatzënia, aborti, sëmundjet e lidhura me seksin, mitet dhe supersticionet. Pjesëmarrja e tyre në median sociale për të përhapur bazën e dijeve po e bën një fenomen real tek i cili mund të mbështetesh. Një tjetër shembull për t’u përmendur këtu është ai i Liaas 12-vjeçare që përdor YouTube për të folur për abortin.

Këto janë disa nga efektet pozitive më të rëndësishme të medias sociale te fëmijët tanë; por, për ta bërë këtë artikull më të shëndetshëm dhe që t’ia vlejë të citohet, më duhet të përmend edhe efektet më negative. Me kalimin e kohës, si interneti ashtu dhe hapësira e rrjetëzimit social janë duke u bërë pjesë e pandashme e thuajse çdo fëmije. Me hyrjen e telefonave celularë të epokës së re, brezi ynë i ri po bëhet gjithnjë e më i ndërlidhur. Siç thotë blogu i Nielsen, “Në duart e fëmijëve dhe adoleshentëve, celularët e sotëm përdoren në radhë të parë si pajisje për mesazhe, kamera, pajisje lojërash, pajisje për të shikuar video, pajisje MP3, dhe incidentalisht si telefona celularë nëpërmjet aftësisë për të folur në altoparlant në mënyrë që edhe miqtë e tyre të marrin pjesë në telefonatë.”

Efektet: Negativet

  • Duke i bërë jehonë Blogut Nielsen, mund të vëmë në dukje keqpërdorimin e teknologjisë nga fëmijët tanë si një prej efekteve kryesore negative. As media sociale nuk është ndryshe. Formimi i grupeve të brendshme sulmuese, përhapja e përmbajtjeve dukshëm seksuale, bulizmi kibernetik, etj. janë në krye të listës që me rritjen e popullaritetit të mediave sociale mes fëmijëve tanë.
  • Një tjetër efekt negativ që mund të shohim është përdorimi i tepruar i shkurtimeve mes fëmijëve tanë. Këto shkurtime vijnë si rezultat i chat-eve online me tepricë, komenteve dhe përditësimeve, etj. Përdorimi i shkurtimeve, nëse nuk shkurajohet, me siguri do të çonte në një situatë në të cilën as nuk do të përdornim fare gramatikë. Ky është një problem shumë serioz për vendet jo anglisht folëse si India. Mund t’i shoh shumicën e fëmijëve tanë indianë që humbasin bazat e gramatikës dhe germëzimit anglisht për shkak të përdorimit të tepruar të shkurtimeve online.
  • Ndikimi në sjellje është çështja tjetër madhore ku përdorimi i pasaktë i medias sociale luan rol negativ. Ndikimi i moshatarëve, ndikimi i figurave të famshme, madje edhe ndikimi i të rriturve nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale mund të trazojë dhe çoroditë vlerat morale bazë te fëmijët. Dhe kjo është diçka vërtet alarmante për të gjithë familjen.
  • Marrëdhëniet reale janë në rrezik sepse shumica e fëmijëve priren të kenë më shumë marrëdhënie online se sa ato reale. Nëse fëmijët tanë nuk i drejtojmë si duhet në këtë kuptim, atëherë do të vijë koha kur identitetet e tyre fizike do të kufizoheshin vetëm në identitetet e tyre online në rrjetet sociale.
  • Sipas një artikulli në Buletinin e të Diplomuarve të Harvardit, obeziteti, çrregullimi i vëmendjes, çrregullimi i të ngrënit, dhe dhuna janë disa nga ndikimet e medias te fëmijët.
  • Sue Palmer, autore e librit “Fëmijëria Toksike”, thotë: ‘Po shohim të dëmtohet zhvillimi i trurit të fëmijëve sepse nuk angazhohen në aktivitetin ku janë angazhuar për mijëvjeçarë.’ Palmer shprehet më tej: ‘Nuk jam kundër teknologjisë dhe kompjuterave. Por, përpara se të fillojnë rrjetëzimin social, kanë nevojë të mësojnë si të ndërtojnë marrëdhënie reale me njerëzit.’
  • Fëmijët tanë të brezit Y (mijëvjeçaristët) thuhet se kanë një stil të ri jete, një stil ku individualizmi vjen i pari. Dhe me përdorimin e papërshtatshëm të rrjetëzimit social, internetit dhe përparimeve të tjera teknologjike, fëmijët tanë me siguri do ta përjetojnë rrezikun e individualizmit shumë shpejt.
  • Fëmijët janë të prekshëm ndaj mashtrimeve online dhe teknikave agresive të marketingut. Me rritjen e përdorimit të pakufizuar të medias sociale, ky rrezik po bëhet gjithnjë e më i përhapur çdo ditë.

Ndërkohë që fëmijët e brezit Y anekënd globit po bëhen më të mençur në çdo aspekt të jetës duke përdorur median sociale dhe internetin, nuk mundemi thjesht t’i anashkalojmë efektet negative të medias sociale mbi ta.

Zgjidhje

Këtu kemi nevojë për mbrojtje të trefishtë. Së pari, na duhet pjesëmarrja aktive e prindërve dhe mësuesve për të siguruar fëmijët e tyre më mirë në rrjetet sociale dhe internet; së dyti, nga ana e fëmijëve, në mënyrë që ata të përpiqen të kuptojnë përpara se të veprojnë, çka prapë është e mundur vetëm me anë të mbikëqyrjes prindërore. Dhe së fundi, qeveritë dhe autoritetet tona rregullatore kanë nevojë të kenë ligje e politika të përshtatshme për të mbrojtur dhe mësuar fëmijët tanë mbi pjesët negative.

Ekzistojnë rregulla e rregullore në çdo vend, por ato duhen ndryshuar për shkak të kalimit të kohës dhe ndikimit të teknologjisë. Autoritetet duhet të zbatojnë ligje më të mira dhe më të përshtatshme, në mënyrë që të mund t’i përshtaten brezit tonë të ri për të ecur në të ardhmen më të ndritur pa pengesa.

Nga Syed M. Raza
Shkrimi u botua ne gazeten Mapo