Prokurori Abdurrahim Islami, i kënaqur me vendimin për aktivistët e Vetëvendosjes

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, i cili ngriti aktakuzë për terrorizëm ndaj gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, është shprehur i kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për dënimin e katër prej aktivistëve me 21 vjet burgim.

Islami ka thënë se ka qenë i bindur në fajësinë e të akuzuarve.

“Nga fillimi në bazë të provave që i kemi paraqitur dhe të cilat janë administruar në gjykatë, kemi qenë të bindur në fajësinë e të akuzuarve”, ka thënë Islami për Kallxo.com.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë i drejtuar nga gjykatësi Beqir Kalludra e shpalli aktgjykimin ndaj katër të dyshuarve për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ata janë shpallur fajtorë në akuzën për të cilën janë ngarkuar dhe janë dënuar me një total prej 21 vjetësh e 6 muajsh burg.

Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.